gototopgototop
Aktual:
Tuesday, 22 February 2011 11:37   
Sa shtetësi i ka Behgjet Pacolli?!
Politikë

News image

Shkruan: Enver Robelli

Duke qenë i dyshuar për shumë afera, Behgjet Pacolli nuk është personaliteti i duhur për të qenë kryetar shteti. Ata që e veshin me këtë post të rëndësishëm këtë biznesmen të dyshuar dikur për shkelje të rënda të ligjit duhet ta bartin edhe përgjegjësinë për zvetënimin e mëtutjeshëm të imazhit të Kosovës.

http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosova_2011/shkurt_11/begjet_pacolli_hashim_thaci_tito.jpg

Jozha dhe Tito

Sot dy milionë shqiptarë të Kosovës, burra dhe gra të këtij vendi, që kanë flijuar shumë për liri, do të jenë dëshmitarë të mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës. Ndoshta në tribunën e nderit do ulen edhe mysafirë: diplomatë të vendeve mike do të bëjnë grimasa të pavullnetshme e do të mundohen të qeshin pak; mbase në këtë solemnitet do të marrin pjesë edhe përfaqësues të atyre familjeve që në Kosovë nderohen për sakrificën e tyre për çlirimin e këtij vendi; do të jenë aty edhe dinjitarë fetarë, ca me tespihe e të tjerë me kryq; kushedi, mundet të vijë edhe ndonjë intelektual. Para  se të shohim se çfarë i ka zier Kosovës kuzhinieri i pushtetit Hashim Thaçi duhet të sillen në vëmendje të publikut edhe disa fakte dhe pyetje në lidhje me konsekuencat e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president.

Fakti i parë

Opinioni tashmë është njoftuar saktësisht dhe hollësisht mbi shumë deklarata e intervista kundërthënëse të Behgjet Pacollit, që i ka dhënë për media të ndryshme dhe, për aq sa dihet publikisht, nuk i ka përgënjeshtruar kurrë. Pacolli reagoi gjatë fundjavës, duke thënë se publikimet e përdorura nga gazeta “Koha Ditore” dhe në televizioni “Koha Vision” janë “të montuara dhe të shtrembëruara tërësisht”. Fjalën e kishte për intervistën që ai ia ka dhënë gazetës kroate “Veçernji list” të datës 24 shkurt 2008, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë. Aty Pacolli citohet, mes tjerash, të ketë thënë se Kosova e ka nënë Serbinë (“Srbija [je] još majka Kosova, nažalost, zla majka”) si dhe me deklarata të tjera skandaloze. Për t’u bindur Pacolli se deklaratat e tij janë transmetuar besnikërisht ne iu drejtuam gazetarit Vojislav Mazzocco, i cili atëbotë e kishte bërë intervistën me Pacollin. Pyetjes nëse Pacolli i ka demantuar ndonjëherë deklaratat e tij, Mazzocco iu përgjigj: “Ne, nikada nije demantirana ni jedna jedina riječ iz mog teksta. Štoviše iz Mabetexa su, nakon što je tekst objavljen, tražili da im pošaljem kopiju što sam i napravio. Nakon toga se nisu više javili iz čega mogu samo zaključiti da nisu imali primjedbi”. Përkthimi në shqip: “Jo, asnjëherë nuk është demantuar asnjë fjalë nga teksti im. Për më tepër, pas botimit të tekstit, nga Mabetexi kanë kërkuar t’ua dërgoj kopjen (e gazetës, v.j.) dhe këtë e kam bërë. Pastaj nuk janë lajmëruar më dhe nga kjo mund të konstatoj se nuk kanë pasur vërejtje”. Në vend se të fyente mediat e Kosovës Pacolli ka qenë e udhës të merrej me “Vecernji listin”. Deklarata e Pacollit se Kosova është fëmijë i Serbisë e kishte irrituar me gjasë edhe gazetarin kroat, prandaj ai në tekst shton se me këtë konstatim vështirë do të pajtohej shumica e kosovarëve.

Fakti i dytë

Më 27 qershor 2000 televizioni i Zvicrës njoftonte se kundër Behgjet Pacollit nga drejtësia në Gjenevë është ngritur aktakuzë për këto tri pika: ryshfetdhënie aktive, spastrim parash dhe anëtarësi në një organizatë kriminale. Ky proces nuk përfundoi kurrë për shkak se, siç thuhej në mediat zvicerane, pala ruse bllokoi hetimet. Është paksa e çuditshme dhe joparimore që ambasadorët e vendeve perëndimore ia ndaluan të jetë pjesë e qeverisë Fatmir Limajt, kundër të cilit nuk është ngritur aktakuzë, ndërsa me rastin Pacolli duket se nuk kanë problem. Siç shkroi të dielën gazeta “NZZ am Sonntag” e Zürich-ut Pacolli ka qenë nën hetime për shkak të shpëlarjes së parave deri në vitin 2008. Ambasadori amerikan në Prishtinë Christopher Dell dhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Pieter Feith javëve të fundit kanë kërkuar një qeveri me duar të pastra, por nuk kanë thënë nëse edhe presidenti duhet t’i ketë duart e pastra. Me sa duket Dell dhe Feith e kanë lexuar shpesh romanin “Ferma e kafshëve” të George Orwellit.

Fakti i tretë

Më datën 3 prill 1999 gazeta e famshme zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) njoftonte se, ndonëse Pacolli kishte marrë shtetësinë zvicerane, ajo nuk i kishte sjellë atij respektin e dëshiruar nga Zvicra zyrtare. Kur ai kishte dashur të bëhej konsull nderi i Kazakistanit në Lugano të Zvicrës, qeveria qendrore e kishte kundërshtuar. Kështu atëbotë kishte dështuar përpjekja e Pacollit për t’u bërë konsull në Zvicër i një shteti semidiktatorial. Pacolli ishte ankuar pranë qeverisë së Kantonit Tiçino për refuzimin që kishte ardhur nga Berna. Qeveria e këtij kantoni kërkoi shpjegime nga qeveria qendrore, por ajo nuk pranoi të jepte asnjë informatë mbi arsyet e refuzimit. Zakonisht shtetet serioze veprojnë kështu, sepse nuk duan të publikojnë informatat sensitive që mund të kenë për një person. Sipas “NZZ” edhe në kohën kur Zvicra i kishte prioritet marrëdhëniet ekonomike me Rusinë, zviceranët e injoronin përherë firmën “Mabetex”. Po ashtu delegacionet zyrtare zvicerane që shkonin në Moskë refuzonin ftesën e Pacollit që të shkonin në hotelin e tij “Diamond”. Në një bisedë me gazetën “Tages Anzeiger” të botuar më datën 10 nëntor 1997 Pacolli kishte thënë se ka qasje te presidenti Boris Jelcin dhe te kryeministri i tij, por kur ministri i Ekonomisë i Zvicrës Jean-Pascal Delamuraz në vitin 1994 kishte vizituar Moskën me një delegacion biznesmenësh zviceranë, Pacolli nuk ishte ftuar. Ky injorim e kishte nervozuar Pacollin, shkruante “Tages Anzeiger” atëbotë.

Fakte të tjera dhe pyetje

Në intervistën dhënë gazetës “Veçernji list” të datës 24 shkurt 2008 autori Vojislav Mazzocco, duke iu referuar Pacollit, shkruan se ai ka katër pasaporta: të Zvicrës, Amerikës, Liberisë dhe të Kosovës. Në një bisedë me gazetën “Express” të Prishtinës në fillim të shtatorit 2010 Pacolli thotë: “Unë jam Konsull nderi i Republikës së Liberisë në Zvicër”. Në ditën kur parlamenti po mblidhet të zgjedhë presidentin opinioni i Kosovës dhe ndoshta as Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk e dinë se sa shtetësi i ka Pacolli dhe a mund të paraqesë kjo ndonjë pengesë për ushtrimin e funksionit apo diskreditimin e postit të kryetarit të shtetit? Liberia, një shtet në Afrikë, konsiderohet si njëri prej vendeve më të rrezikshme në botë, në vitin 2003 revista e famshme britanike “Economist” ia dha Liberisë titullin “Vendi më i keq në botë”. Revista zvicerane “Weltwoche” në numrin e 1 majit 2003 shkruante se sa i përket sigurisë, ekonomisë, krimit, cilësisë së jetesës Liberia është një “njollë turpi mes kombesh”. Shtetësitë e ndryshme të Pacollit na bëjnë të shtrojmë një varg pyetjesh, të cilat do të duhej të sqaroheshin para se ai të përmendej për postin e kryetarit.

Së pari: Ndaj cilit shtet është lojal Pacolli? Kosovës? Liberisë? Zvicrës? Amerikës? Kjo ka të bëjë edhe me sigurinë kombëtare të Kosovës. Presidenti i shtetit, siç dihet, është edhe komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe vendos, mes tjerash, edhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Së dyti: Pacolli ka dështuar ta bëjë transparente sa shtetësi i ka, sepse ka zëra që thonë se është shtetas edhe i Kazakistanit dhe Taxhikistanit? Edhe këtë do duhej ta sqaronte Pacolli.

Së treti: Si kryetar shteti ai është përgjegjës për politikën e jashtme. Si i tillë a do të kishte organizuar ai shkuarje të një delegacioni masiv kosovar në Libi, siç bëri para disa kohësh? A mund të jenë kontaktet e Pacollit me shtetet diktatoriale problem për imazhin e Kosovës, por edhe për bashkëpunimin e vendit me Washingtonin dhe Brukselin? Sa i përket Libisë nuk ka ndonjë dilemë se është shtet diktatorial dhe kjo u pa edhe gjatë fundjavës, kur forcat e sigurisë së Muamer Gadafit vranë së paku 200 protestues kundër regjimit të tij.

Së katërti: Si kryetar shteti Pacolli do të marrë përsipër edhe dialogun me Beogradin, sepse me Kushtetutë është përgjegjës për politikën e jashtme. Ai në të kaluarën ka insistuar që nga dialogu me Serbinë të përjashtohen ndërkombëtarët dhe që bisedimet të mbaheshin “në Beograd dhe Kragujevc”. Në mediat serbe Pacolli e ka kritikuar ndërmjetësin amerikan Richard Holbrooke për rolin e tij në Ballkan, ndërsa në një bisedë me KTV-në e ka qortuar diplomatin e famshëm se për shkak të “egos së tij të madhe” e paskësh bllokuar një nismë të mirë të Pacollit për t’i takuar liderët e Kosovës me Slobodan Milosheviqin në vitin 1998. Në bazë të këtyre deklaratave Pacolli nga ndonjë vëzhgues apo diplomat mund të shihet edhe si kundërshtar i angazhimit amerikan në Ballkan.

Dy fjalë për PDK-në

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës ka vendosur ta bëjë Behgjet Pacollin president me qëllim që të ruajë për vete postin e kryeministrit. Hashim Thaçi ka pasur zgjidhje të tjera. Duke e ditur mirë se zgjedhjet e dhjetorit s’e meritojnë këtë emër, ai është dashur të kërkonte dialog me opozitën, t’i ofronte asaj mundësinë e reformimit të legjislacionit zgjedhor dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda dy viteve. Po ashtu Hashim Thaçi do duhej të merrej vesh me opozitën për një president që përfaqëson unitetin e popullit, i cili do të mund të vinte, për shembull, edhe nga bota akademike. Si kundërshpërblim opozita me gjasë do ta kishte mbështetur një qeveri të pakicës me Thaçin kryeministër kalimtar deri në zgjedhjet e ardhshme, meqë iu ka bërë aq shumë merak që me çdo kusht dhe duke shkelur disa rregulla të shkruara dhe të pashkruara të mbetet kryeministër. Thaçi e zgjodhi aventurën me Pacollin, duke injoruar disponimin kritik të publikut kundër këtij koalicioni. Fenerin këtij koalicioni do t’ia mbajë edhe Bujar Bukoshi, i cili me hyrjen e tij në këtë kabinet e ka njollosur si biografinë e tij politike ashtu edhe kredibilitetin publik. Djaloshi nga Drenica, ndërkaq, kryeministër ndoshta do të jetë edhe në të ardhmen, por duhet ta pyesë veten: Pse asnjë parti serioze shqiptare s’deshi të bënte koalicion me PDK-në? Kjo parti po sillet sikur ai personi, të cilin e kishte leçitur katundi për shkak të sherreve që bënte dhe kur dilte në katunde të tjera thoshte: “E kam leçitur krejt katundin se jam i fortë!” Për PDK-në nuk është mirë ta lëçisë Kosovën, siç po vepron tani!

 

Kontakti me autorin: This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

Add comment

Zëri i Kosovës mban të drejtën e fshirjes të komenteve që mbajn fjali banale, fyrje të kota, akuza të pa vler. Komenti juaj do të publikohet pasi është lejuar nga Administratori apo Moderatori. Falemenderit për Inkuadrim!!


Security code
Refresh

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.