gototopgototop
Aktual:
E Mërkurë 01 Gusht 2012 13:12   
“100 Vjet Pavarësi” - Një udhëtim imagjinar festiv!
Histori

100 Vite Pavarsi100 Vjet Pavarësi Kombëtare, një shekull ngjarjesh dhe përmbysjesh që, nuk mund të kuptohen nëse nuk zbresim poshtë qindra e mijëra vjet të shkuara deri në tabanin pellazgjik dhe nuk fluturojmë njëherësh lart, prej nga sot në të ardhmen, që ngjizet prej nesh aktualisht. E parë si kohë kronos kjo është një histori lineare, me ngjarjet, datat dhe personazhet e tyre. E vështruar si një kohë përmbajtjesore e antropologjisë, e ritualit, e mbijetesës dhe dialogut mes lirisë e institucionalizmit, koha përthyhet në histori kulture/rash - civilizmi/mesh. Vetëm kështu historia rrugëton në relievet dokumentare të shkencës historike që nuk lypin përqasje subjektivizmi nga ne, proaktivët e sotëm që veprojmë dhe flasim për lidhjet me të me protagonizëm selektiv. As si ngjarje që janë certifikuar, as si libra, manuale, albume, apo studime disafushësie me materien historike, nuk mund të merren nën komandën e politikanëve të radhës. Janë vetëm “udhëheqësit mesianikë”, në të gjitha kohërat që, përballë vetes së tyre vënë gjithësinë, gjithëkohësinë, fatet epokale, glorifikimin e kombit, detyrat e përjetshme, përgjegjësinë në pafundësi. Si të tillë, ata operojnë me të mirën e të keqen, me shpëtimin përfundimtar dhe triumfin e përhershëm ndaj rreziqeve që kanosin si valë shkatërrimtare thelbet historike. Nëse në kulturën e religjionit, si një kozmogoni jo shkencore botëkuptimore por morale dhe predikuese, një sjellje e tillë ka kuptim, në politikën institucionale të shoqërisë laike civile, qëndrime të tilla sjellin jehona të sistemeve të kapërcyera dhe shprehin pafuqi.
Në kësi rastesh, ëndrra bëhet më e madhe se sa janë mundësitë. Deti i pafuqisë është produkt i mendjes fantaziste që, nuk pranon përkohshmërinë si ekzistencë e si shërbim publik ndaj vendit dhe shoqërisë, që vjen tek e fundit si një detyrim thjesht institucional! “Vetëm të vepruarit është real, që ai ‘prodhon histori’, me ose pa qëllim, po aq natyrshëm siç prodhon fabrikimi sende të prekshme. Këto histori më pas regjistrohen në dokumente dhe monumente, mund të bëhen të dukshme në objektet e përdorimit ose në veprat e artit, mund të tregohen e të ritregohen…Ato na tregojnë më shumë për subjektet e tyre, për “heroin” në qendër…Megjithëse kushdo e fillon jetën e tij duke u futur në botën e njerëzve nëpërmjet të vepruarit dhe të folurit, askush nuk është autor ose prodhues i historisë së jetës së vet…Që çdo jetë individuale midis lindjes dhe vdekjes eventualisht mund të tregohet si një histori që ka një fillim dhe një fund është kusht parapolitik dhe parahistorik i historisë, i historisë së madhe që nuk ka as fillim as fund.” (“Gjendja Njerëzore” Hannah Arendt, botimi shqip, faqe 235, enti botues, IPLS& Dita 2000). Ky deduksion i gjatë dhe i ngjeshur i Hannah Arendt-it, për realizimin veprues të njeriut, për njeriun individual që nuk mund ta bëjë historinë si veprim individual, si dhe për ngjizjen e historisë nga brezat, e krijuar për gjeneratat që vijnë, më duket tejet i goditur. Le të vigjilojmë mbi të!
“Historia duhet të regjistrohet në dokumente, monumente, e në vepra arti!”.
Nëse qeveria e Vlorës e 1912-ës, do të vendoste të vinte virtualisht në këtë jubile njëshekullor, ky lloj kthimi imagjinar do të na krijonte një situatë të pakëndshme, duke na vënë në pafuqinë e mosveprimit. Ata do të pyesnin se ku është godina e ngjarjes epokale, ajo ngrehinë nga ku nisi me atë akt sublim historia e Shqipërisë së pavarur, ngritja e flamurit dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë?! Përballë kësaj pyetjeje, ne shqiptarët e “100-Vjetorit të Pavarësisë”, kemi si përgjigje në rastin më të mirë heshtjen turpëronjëse, në rastin më pak të tillë, një mungesë përgjegjësie ndaj kujtesës historike. Si edhe nënvizon Hannah Arendt, mbasi regjistrohen në dokumente e monumente, ngjarjet historike mund të tregohen dhe ritregohen. A jemi gati në këtë prag festimi jubilar ta ritregojmë historinë? Debati është i ndezur. Fusha e argumenteve është jo ajo që lyp të ndriçohet, sepse mes historianëve ka hedhur rrënjë pozicionimi politik, madje më keq akoma ai partiak. Historia dhe kujtesa historike, as janë pastruar nga shtrembërimet, dhe as kanë identifikuar kriteret dhe principet për ta mirë-realizuar këtë “purifikim” ushqyes dhe shëndoshës të institucionalizmit historik. Në përgatitjet për festimin e shpalljes së Pavarësisë, nuk është diskutuar për rindërtimin e godinës ku Ismail Qemali ngriti flamurin. Kjo godinë është shembur dhe nuk ekziston. Ka qenë në krah, atje ku ndodhet sot Monumentit i Pavarësisë. Vendi është ende bosh! Një boshllëk i pafalshëm. Regjimi komunist nuk kishte interesa për ta ringritur, sepse për të “shtëpia e të gjitha kohërave historike” kishte qenë shtëpia ku ishte themeluar Partia Komuniste. Ky lloj copëzimi i vijueshmërisë historike dhe “lavdërimi në kulm” i periudhës komuniste krijoi shtrembërime dhe keqkuptime antishkencore me/dhe ndaj historisë. Rindërtimi i godinës së shpalljes së pavarësisë, pajisja me orendi të kohës dhe dokumente të tjera autentike do ta sillte në formën e një muzeumi të dorës së parë. Shumë objekte që ndodhen sot në atë që njihet si “Muzeumi i Pavarësisë”, shumë natyrshëm do të kalonin në godinën autentike. Mos harrojmë që shtëpia ku u themelua “Lidhja e Prizrenit” u shemb disa herë, dhe po aq është ringritur. E gjithë kostoja e ndërtimit dhe pajisjes sipas llogarive të trasha të disa specialistëve, nuk do t’i kalonte të 200.000 eurot. Por ja që askush institucionalisht nuk është shprehur nëse do të realizohet ky detyrim që kemi ndaj historisë sonë. Të huaj dhe shqiptarë që do të vizitojnë Vlorën, kanë arsye të pyesin, se ku është godina e pavarësisë?! Heshtjes zyrtare, mund t’i bënte sfidë vetëm djalëria vlonjate, e cila ka vullnetin, dashurinë, sedrën dhe përgjegjësinë për ta rindërtuar “Shtëpinë e Pavarësisë”, selinë e parë të qeverisë së Vlorës, “godinën-themel” të orientimit europian të atdheut e kombit.
Në këta 100 vite, qysh nga 28 Nëntori 1912-ës, shumë godina janë ngritur dhe goxha institucione kanë hedhur shtat, por se vendin dhe misionin e asaj godine dhe vendimeve që u morën në të, nuk e zë asnjëra syresh. Rivitalizimi i “Trashëgimisë Monumentale” në të gjithë vendin, do të shtrinte festimin jubilar në të gjitha hapësirat mbarë shqiptare, do të risillte në vëmendje dhe respekt kontributin e të gjitha trevave dhe krahinave, do të zgjonte tek brezat e rinj një kuptim dhe vetëdije më të bazuar në fakte, ngjarje dhe simbole të një kalvari të gjatë e me privacione të popullit shqiptar. Është për të ardhur keq, por nuk dëgjojmë se çfarë do të realizohet anë e kënd Shqipërisë. Gjithçka duket se do të mblidhet vetëm në Tiranë. Një lloj festimi i tillë, vetëm se ekzagjeron ceremonialin zyrtar. Në kuptimin dhe rëndësinë që ka përjetimi i “100-Vjetorit të Pavarësisë së vendit”, e gjithë kjo lloj përgatitjeje, do të tingëllonte veçse si një shfaqje festive me dimensione të cunguara. Më është dhënë rasti të kem qenë prezent në festimet e “1000- vjetorit të Shtetit Hungarez. Ceremonitë më të mëdha u zhvilluan në kryeqytet, Budapest, por se festime pati edhe në kufijtë me Rumaninë, madje pikërisht në këtë rajon të Transilvanisë, u shfaq në natyrë Opera kushtuar heroit të tyre kombëtar! Ta respektosh e të reflektosh mbi historinë, do të ishte me vlerë që muzeumet kudo që janë në vendin tonë të rivitalizohen, po kështu monumentet historike, varret e heronjve, lapidarët apo pllakat përkujtimore, monumentet apo bustet e tyre. Të shohin dritën e botimit materiale arkivale të panjohura deri më sot. Të vaditet kujtesa historike me tubime shkencore dhe të natyrave të tjera më popullore, në mënyrë që gjithkush pavarësisht nga mosha, gjinia, krahina, besimi fetar apo pozita social-ekonomike të ndjejë si pjesëmarrës i gjallë këtë festim jubilar, “100 vjet Shqipëri e Pavarur.”. Por ja që mungon projekti për një “Konferencë Ndërkombëtare”, që do të mund të qendërzonte si lëndë shkencore të diskutimit; “Shqipëria e shqiptarët, autenticiteti, kontributet historike dhe identiteti historiko-kulturor”. Aktualisht flitet për një tubim akademik ndërshqiptar, po ku disa do të ftohen e disa të tjerë me peshë, zë e kontribute, nuk do të ftohen, sepse edhe pas 100 viteve pavarësi, rezultoka që ende qenkërkemi të ndarë. “Të bashkuar për të luftuar, të ndarë për të bashkëqeverisur”. Ky mision në kohë paqeje, bashkëqeverisja, do të duhej ta merrte drejtpeshimin dhe dritëhorizontin nga arsyetimet shkencore të mbështetura në tabane të qëndrueshme, dhe jo prej klimës së helmuar të dasive që ushqehen nga urrejtjet, bezditë dhe sharjet ndaj njëri-tjetrit, fatkeqësisht edhe në lëminjtë e shkencës e akademizmit. Kjo është marrëzia jonë si njerëz që grindemi në dasma dhe puthemi në vdekje! Por se kjo sjellje nuk mund t’u falet “marokëve” me diploma, me tituj e me grada shkencore, sepse ne lypim paqe e mirëkuptim me të tjerët jo shqiptarë dhe mbetemi gërnjarë të pandreqshëm mes vetes. Po le të vijojmë me festimin tonë imagjinar!
Imagjinoni bashkëqytetarë e bashkëkombës, botimin e një kolane me veprat më të mira për Skenderbeun që nga Marin Barleti, Fan Noli, Kristo Frashëri, Oliver Shmid, dhe një dyzine autorësh të huaj prej Mesjetës e deri në ditët tona, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shtëpia botuese “Plejad”, e botuesit Ndriçim Kulla, mund ta kryente me korrektesë shkencore një botim të tillë. Ky lloj korpusi historik e akademik, do ta sillte personalitetin dhe kontributet e Heroit tonë Kombëtar në përmasat reale, të një Prijësi Kombëtar dhe “Mbrojtësi të Krishtërimit”, gjithë po aq. Një nënvizim i tillë ka vlera aktuale të pallogaritshme. Kur BE vendosi që në vend të Kushtetutës Europiane, të miratonte Traktatin e Lisbonës (modifikuesin), ritheksoi se: Në themel do të mbetej e pandryshuar trashëgimia historike bazuar tek krishtërimi. Si edhe mëtonte poeti gjerman Goethe, “Europa u krijua nga pelegrinazhi, gjuha e mëmës e të cilit ka qenë krishterimi.”. Është fjala për një kulturë e civilizim jo thjesht fetar, por se për një qytetërim perëndimor që lejoi kalimin nga autoriteti religjioz e civil i kishës, tek shoqëria laike që ndërtoi institucionet e pavarura e të balancuara dhe kështu vuri në qendër individin, të drejtat e tij qytetare. Le të imagjinojnë lexuesit e thjeshtë dhe studiuesit e fushës/shave, botimin e një kolane me punimet e librat më seriozë për “Historinë e Shqipërisë”, ku do të mund të ishin trupëzuar punimet më të argumentuara shkencërisht, adresuar për popullin e kombin shqiptar, për trojet dhe luftërat për mbijetesë, për epokat historike, për kontributet e privacionet, për trashëgimin dhe identitetin historik, për përkatësitë kulturore dhe mozaikët e civilizimeve, për religjionet dhe vijueshmërinë institucionale. Shtëpia botuese “Dituria” e botuesit Petrit Ymeri, do të mund ta realizonte një punë të tillë serioze dhe me cilësi shkencore. Por ja që në prag të përvjetorit kemi vetëm zhurmë dhe fjalë për historinë, por jo botimin unikal të munguar. Kujtohemi për historinë tonë vetëm kur fqinjët botojnë punime (pseudo)akademike, që e shtrembërojnë me keqdashje origjinën, autoktoninë dhe identitetin tonë kombëtar. Edhe në këto raste institucionet përgjegjëse mjaftohen me nota verbale dhe me ndjeshmëritë reaguese të shtypit e të medias audiovizive. Nuk shkohet atje ku edhe e kanë detyrimin profesional e kombëtar, tek botimet që mbrojnë të vërtetat historike të faktuara e të dokumentuara shkencërisht, dhe të ushqyera nga burime arkivale të besueshme e të gjithëpranuara. Arti është një tjetër medium që krijon komunikim të gjerë me popullin dhe përcjell shpirtërim të frymëzuar kombëtar, sa herë që ai i kushtohet historisë dhe personaliteteve të saj. Në Serbi ka kohë që punohet për të xhiruar një film kushtuar “Kostandinit të Madh”, (Kostandini ynë, - thoshte poeti kombëtar Naim Frashëri) për ta nxjerrë atë me origjinë serbe. Paçka se Kostandini me “Edictin e Milanos” - (akti ligjor që konsakroi shpalljen e Krishtërimit si fe zyrtare), duke i dhënë fund paganizmit politeist dhe luftërave me karakter fetar, kanë ndodhur gati 2-3 shekuj para mbërritjes së serbëve në Ballkan, dhe i njihen si akte madhore historike “Kostandinit të Madh”. Në Maqedoni po bashkë-udhëtojnë aktualisht Enciklopedia plot deformime antishqiptare, me monumentin gjigant të “Aleksandrit të Madh.”. Në Greqi botime me vulë akademike tërhoqën së fundi edhe studiues të huaj (si edhe ishte rasti i historianit britanik) që të keqtrajtojnë të vërtetat historike, (përfshi edhe ato që ishin pohuar më parë prej tij), thjesht se një sëpatë me brimë e tipit helen, ishte zbuluar edhe në zonën e Maliqit. Me qëllim anashkalohet mundësia e tregtimit, si dhe realitetet e njëkohshme të zhvillimit, çka ndodh në të gjitha kohërat kur teknika apo teknologjia më e përparuar shpërndahet falë shkëmbimeve ose prodhohet nga faktorët vendorë, si shprehje e zhvillimit pak a shumë të njëjtë në epokën e caktuar. Ishte kurajoja, mençuria dhe kujtesa shkencore historike e arkeologjike, e të fundit të rilindasve, profesor Kristo Frashërit, i cili dha përgjigje të gjerë e të argumentuar edhe për këto deformime që, nuk reshtin së deformuari e mohuari historinë e popullit shqiptar. Institucionet e specializuara e të mirëpaguara nga taksat e qytetarëve, duket sikur udhëtojnë në shtigje të tjera. Më ka mbetur në mendje thënia e një mikut tim hungarez, gazetarit dhe analistit të shquar politik Laszló Benda, mjaft i njohur edhe në qarqet politike të vendit tonë, si një dashamirë i Shqipërisë: “Ju shqiptarët kujtoheni për historinë tuaj vetëm atëherë kur ata që nuk ju kanë dashur historikisht, botojnë libra duke e shtrembëruar atë. Dhe sa herë që ju i përvisheni punës për korrigjimet e nevojshme duke larguar shtrembërimet dhe duke informuar drejt publikun, ata vijojnë me botimin e radhës që sjell një situatë po të njëjtë. Do duhej, - argumenton Zoti Benda, - që Ju të ishit gjithnjë një hap përpara dhe jo të prisni për t’u ngacmuar nga pickimet dashakeqe e antishkencore të “trupave akademike”, që ende notojnë në mentalitetin dhe psikologjinë e një Ballkani të vjetër përjashtues.”.
Vëllezër shqiptarë! Në festimet e “100-Vjetorit të Pavarësisë”, po ju ftoj në mënyrë imagjinare në një pelegrinazh. Le të shkojmë së bashku në kodrat rreth Durrësit, atje në Bishtin e Pallës. Që të jemi brenda misionit, po e quajmë pelegrinim tek “Kepi i Pallës” ose tek “Kodra e Shën Palit”. Pikërisht atje Shën Pali, meshoi në natyrë me zë të lartë për krishterimin e Jezusin (shqip-lëshoi pallën, - foli me zë të lartë, sipas George Von Hann-it). Prej asaj kohe, “Shekulli i parë i Erës së Re”, ai vend u quajt “Kepi i Pallës”. Në këtë “100-Vjetor është (do të duhej, pasi realisht nuk është) ngritur një memorial dhe një tempull autentik i kohës, ndaj ejani bashkëkombës ta vizitojmë në hullitë e imagjinatës historike. Kështu do të kuptojmë më mirë rrënjët tona historike dhe identitetin tonë kulturor, që në gjithëkohësi është ndërtuar si: “Një trup romak, si një mendje bizantine, dhe si një shpirt mistik oriental!”. Jashtë këtij trinomi, ne antropologjia pellazgo-ilire-arbënore-shqiptare, nuk do të mund ta njihnim qartësisht dhe me themel rrugëtimin tonë, tiparet dhe kontributet, arritjet e marrëzitë, historinë vendore dhe atë si pjesë të imperialiteteve të kohës, në të gjitha epokat historike. Mos i harrojmë fjalët e gdhendura në kujtesën gjithëkohore të Papa Benediktit XVI, kur i dhuroi stilografin ish-presidentit të Kosovës, Zotit Sejdiu. “Firmoseni pavarësinë me këtë stilograf. Ajo është plotësisht e merituar sepse që në orët e para, krishtërimi ka qenë prezent në ato treva.”. Mëtimi është i qartë. Të tjerë popuj si edhe janë serbët ortodoksë, nuk kanë qenë aso kohe në ato hapësira gjeopolitike, thjesht sepse ende nuk kishin mbërritur atje falë rrugëtimit të tyre migrator. Në festimin tonë jashtë ceremonialit shtetëror, mendoni të kemi me këtë rast në duar një kolanë me botimet më në zë për Nënë Terezën, bazuar në botimet autobiografike të autorizuara kushtuar Shenjtores me origjinë shqiptare, aq shumë e sulmuar kombësia e saj, dhe e insinuar nga antishqiptarizmat dhe shovinizmat arkaike ballkanike.
Të imagjinojmë të marrim në duar në prag të “100-Vjetorit të Pavarësisë” veprën ‘program-madhe’ të ideatorit të Rilindjes sonë Kombëtare, Sami Frashëri me titullin e goditur: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, shoqëruar me nëntitullin “Një Shqipëri Europiane”, ku në parathënie të jenë vënë pasazhe nga personalitete të letrave e të politikës, nga e djeshmja dhe e sotmja, prej të gjitha hapësirave shqipfolëse.
Le të imagjinojmë që në epilogun e këtij botimi, të jetë trupëzuar programi shqiptar për integrimin europian, për Shqipërinë e për Kosovën, dhe projekti ynë për kthimin e të drejtës së pronës për shqiptarët e krahinës së Çamërisë! Ne duhet t’u flasim Institucioneve Ndërkombëtare me struktura mendimi dhe programe të konsoliduara e mirëpërcaktuara. Ky libër mund të botohet si libër xhepi. Gjithkush që ka në deje gjak shqiptari dhe dashuri për mëmëdheun, ta ketë atë si “një libër të shenjtë të historisë kombëtare”. Në prag të përvjetorit, le të shkojmë bashkërisht në “Teatrin Kombëtar” për të parë dramën e parë në gjuhën shqipe, “Besa” të Sami Frashërit. Do duhet të shkojmë (sa mirë do të ishte) në teatrin “Migjeni” në Shkodër për të ndjekur pjesën e Vaso Pashës, “Bardha e Temalit”. Ka një moment tragjiko-epik në këtë dramë, kur nëna sheh kokën e prerë të të birit, Aradit, dhe në prani të sulltanit e ngre nga toka dhe i puth sytë. Do duhet të shkojmë në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, ku do të mund të shohim një rivënie të dramës së fuqishme “Epoka para Gjyqit”, të autorit kosovar Ekrem Kryeziu.
Kudo në gëzimin e festës, mendoni se sa mirë do të ishte po të tregtohen “statueta” të personaliteteve te kombit. Do të gjejmë (ah sikur!) album me foto bardh e zi dhe me ngjyra, që kanë fiksuar ngjarjet madhore historike dhe personalitetet e saja. Ka gjasa, imagjinata nuk na e refuzon, që të prodhohen CD platini me veprën muzikore që Vivaldi ia pat kushtuar heroit tonë Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Ndoshta, (imagjinata pat mbërritur dhe propozuar qysh në 2004-ën në Bashkinë e Tiranës), që të ngrihet në kryeqytet “Kopshti i të Urtëve Arbëreshë”, me skulptura të ulëta parku të Jeronim de Radës, Gavril Darës, Skiroit dhe shumë personaliteteve të tjera të Kalabrisë deri në ditët tona. Këtij propozimi, Kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Tiranës, iu përgjigj me fjalët, se “po restaurojmë shkollën ‘Jeronim de Rada’ dhe në oborrin e saj do vendosim bustin e arbëreshit”. Ish-kryetari i djeshëm, me pamfletin e “Rilindjes-Shqiptare” sot, nuk e mban mend se Jeronim de Rada që e donte atdheun, gjuhën dhe historinë e tij, vdiq me një cironkë në xhep. Kjo kishte qenë pasuria e tij fizike. Ky lloj xhepi nuk ndodhet në kostumin e asnjërit prej politikanëve të sotëm shqiptarë.
Gjithçka, në ceremonialin tonë imagjinar, do të nisi sipas përsiatjes festive, me një koncert madhështor tek sheshi “Nënë Tereza”. Fantazoni që mbi atë “palo basen shatërvani” të jetë vendosur një platformë e ngritur, rrethuar me një gjysmë harku tribunë të lartë si një amfiteatër, ku të jetë vendosur një korr me 2000 persona që do të këndojnë. Do të fillohet me rapsodinë e kënduar të Çesk Zadesë, “O ju male”, për të vijuar me “Për ty atdhe” të Pjetër Gacit! Në mbrëmje, mes dritave, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, të dëgjojmë zërat magjikë shqiptarë të Sajmir Pirgut, - nxënësit të Pavarotit ose si edhe quhet Pavaroti i ri, Ermonela Jahos, - këngëtarja më e mirë lirike për vitin 2012-të në Britaninë e Madhe, Inva Mulës, Josif Gjipalit! Të dëgjojmë në violinë tingullin magjik të Evis Gegës, - violinë e parë e Orkestrës Simfonike të Bonit dhe violinën e Florian Vlashit, - një personalitet europian në interpretim! Ata nuk do të këndojnë dhe interpretojnë për festën por do të tregojnë se në këtë “Jubile njëshekullor të Pavarësisë” ata janë krenaria shqiptare në botë! Koralet të jenë sfondi i mbrëmjes. Në hyrje të këtij koncerti të titulluar “100 vjet Shqipëri e Pavarur”, një grup të rinjsh e të rejash, pasi kanë udhëtuar në itinerarin që pat kryer Ismail Qemali deri sa hyri në Shqipëri në 1912-ën, të sjellin një pishtar për të ndezur flakadanin e pavarësisë. Ka vetëm një ndryshim të vogël nga ky udhëtim historik. Devijimi deri në Bruksel, ku plaku i Vlorës nuk kishte pse shkonte, por se rruga që ai nisi e ka stacionin e fundit atje tani; si dhe shpura e pishtarmbajtësve do të vijë në Tiranë dhe jo në Vlorë, si më 28 Nëntor 1912.
Në prag të “100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë”, politika zyrtare ka hapur një “panair kotësie”, ku disa shpallen heronj dhe ku deheroizohen disa të tjerë. Ca ngrihen nga vari për t’u vënë në piedestale, ca të tjerë shqelmohen për t’u strehuar tek harresa. E gjithë kjo të kujton tregimin e Lukianit, ku Zeusi dhe Hermesi kishin mbetur pa pará, ndaj dhe kishin nxjerrë të shisnin në ankand të gjithë filozofët të veshur me lecka që mos njiheshin. Te Homeri fjala heros ka sigurisht dhe konotacionin e dallimit, por vetëm në lidhje me atë çka ishte i aftë të kryente çdo njeri i lirë. Tek Homeri heroi nuk del askund në kuptimin e mëvonshëm si “gjysmëzot”, kuptim që ka të ngjarë të ketë lindur për shkak të hyjnizimit të heronjve të lashtë epikë. Politika nuk prodhon histori, por kujdeset që t’i bëjë qytetarët më të mirë. Në Greqinë e Lashtë periudha e Perikliut është konsideruar si “Golden Age”-Koha e Artë, por se Platoni prej kohësh e kishte qortuar Perikliun se nuk i “bëri qytetarët më të mirë” dhe se në fund të karrierës së tij, athinasit ishin më të këqij se më parë. Ne duhet ta duam dhe respektojmë historinë tonë pa përjashtime dhe baltosje, me respekt dhe kujdes analitik. E shkuara është e kaluar dhe e certifikuar. Faktologjia e dokumentacioni autentik janë autoritetet shkencore.
Pasionet dhe rregullimet “glorifikuese” nuk bëjnë gjë tjetër veç rindezin muzat shpaguese që riciklohen sa herë që partitizmi kërkon të pushtojë historinë, atë të djeshmen, të sotmen dhe atë të nesërmen! Mision i pamundur dhe i provuar me mossukses më se njëherë! “Dallimi mes një historie të shpikur dhe një historie të vërtetë, - thotë Hannah Arendt, - qëndron pikërisht në faktin se e dyta është e ‘sajuar’, kurse e para nuk është bërë fare.”.
Atdheu im! Fola dhe shpëtova shpirtin tim!

 

Nga Dr.Përparim KABO

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.