|
|
| Sigurimi, spiunët paguheshin me drithëra |
| Dossier | |||
|
Si u bë i pabesueshëm rrjeti sekret informativ i Sigurimit të Shtetit. “Agjentë që penalizojnë për veprimtari armiqësore kundërshtarët e tyre dhe njerëzit që janë në konflikt” “Për persona të veçantë stimujt materialë përdoreshin pa kriter” Në pjesën që publikuam në numrin e kaluar nga buletini “Tepër sekret” i Ministrisë së Brendshme, i datës 4 shtator 1985, zbardhëm fakte e dëshmi të jashtëzakonshme nga praktika 30-vjeçare e agjentëve të fshehtë të Sigurimit të Shtetit. Njëherazi me parashtrimin e tyre në formën e një guide groteske, autorët e dokumentit, që me sa duket kanë “hedhur në tokë” të gjithë arkivat e shërbimit në qendër e në bazë, kanë artikuluar aty gjykimin e tyre për arsyet e degjenerimit të rrjetit të fshehtë agjenturor. Mënyra si e parashtrojnë morinë pa fund të prapësive të armatës së të ashtuquajturve spiunë, ndriçon faktin se praktika e tyre ka qenë më misterioze nga sa mendohej. Në rreshtimin e faktorëve që kanë sjellë këtë realitet të padëshiruar, në dokument përmendet njohja e cekët e kontingjentit të rekrutuar, shkelja e normave të punës me rrjetin sekret, mossigurimi i fshehtësisë në takimet informative, përzgjedhja e njerëzve me vese, e sidomos atyre që dallojnë për lidhje me femra të degjeneruara etj. Thirrja “Po na gënjejnë agjentët e fshehtë” e ekspertëve që kanë operuar me këtë material studimor, konfirmon situatën tronditëse që përjetonte rrjeti sekret informativ, i mbështetur mbi të dhënat vulgare të kësaj ushtrie amorfe me lloj lloj alabakësh. Pjesa në vijim hedh dritë në një aspekt tjetër të praktikës së tyre të shëmtuar. Ata, siç dëshmohet në buletin, jo vetëm prodhojnë armiq në çdo kohë, por janë në gjendje të zgjedhin ndër ta kundërshtarët e tyre, ish dhëndurët, njerëzit që u kanë marrë borxhe dhe nuk ua kthejnë. Mjafton të atribuojmë për ta tendencën e arratisë jashtë shtetit apo thënie të tipit “Enver Hoxha është çmendur”, “Në Perëndim është shumë herë më mirë se në Shqipëri” etj. etj. (vijon nga numri i kaluar) – Dokumenti sekret i Sigurimit në ’85: Agjentët dashurohen me femrat që përgjojnë “Zbuluesi” rrjedh nga një familje e varfër, fshatare është tërhequr në shërbim më 14.7.1972 dhe u seleksionua në vitin 1979. Gjatë kohës që ka qenë i tërhequr në shërbim, ka dhënë të dhëna shumë të rëndësishme për K.Z., i cili përpunohej si agjent i zbulimit grek. Gjatë viteve ’78-’79 “Zbuluesi” jepte të dhëna të rëndësishme për aktivitetin e P. M., i cili përpunohej aktivisht në 2A. Më 12.10.1979, nëpërmjet objektit P.M. dhe “Zbuluesit” u bë një kombinacion prej nga ku rezultoi se bashkëpunëtori as që konsumoi gjë nga detyrat e dhëna, objekti nuk foli asgjë armiqësore, ndërkohë që “Zbuluesi” në takim raportonte se P.M. zhvilloi aktivitet armiqësor kundër udhëheqjes së partisë. Në këto kushte, “Zbuluesi” u përjashtua nga rrjeti dhe mbi bazën e materialeve të grumbulluara në drejtim të tij, u mor në përpunim aktiv 2A. Si agjent i zbulimit grek. Para se të tërhiqej në bashkëpunim “Zbuluesi”, disponoheshin të dhëna të mjaftueshme për figurën e ulët morale të tij. Në ndërmarrjen ku punonte ishte kritikuar disa herë për manifestim të veseve negative, si njeri imoral, cilësi këto që u manifestuan prej tij edhe gjatë kohës që u mbajt në rrjetin sekret informativ. “Alkaza”, me origjinë shtresë e mesme dhe qëndrim të keq politik, ka marrë pjesë me armë në dorë në radhët e organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar dhe në muajt e parë të çlirimit të atdheut qëndroi dy muaj i arratisur brenda vendit. Është tërhequr në bashkëpunim sekret më 11.10.1949 dhe u seleksionua më 20.9.1979 si gënjeshtar. Gjatë periudhës 30-vjeçare ka dhënë mjaft të dhëna. Me interes kanë qenë ato për zbulimin e Mehmet Kuçit që vrau kryetarin e këshillit, si dhe ato që flisnin për dy grupe ,që sipas tij përbëheshin nga elementë të deklasuar e të cilësuar kulakë. Në periudhën ’59-’61 dha mjaft të dhëna në drejtim të kulakëve M.M., H.M., A.B., T.B., të cilët sipas tij zhvillonin bashkërisht agjitacion e propagandë armiqësore dhe përgatiteshin për realizimin e arratisjes jashtë shtetit, pasi të rrëzohej pushteti popullor, i cili sipas informatave të tij, i kishte ditët e numëruara. Për të njëjtin aktivitet “Alkaza” raportoi edhe për S.H., A.H. e M.D. në ’77-’79, por nga kombinacioni i realizuar më 30.5.1979 ndërmjet tij dhe S.H. u vërtetua se ai gënjente. Nga analiza doli se “Alkaza” nuk ka qenë korrekt në raportet e tij, bile ka gënjyer, ndërkohë që është vërtetuar se ka qenë edhe vjedhës. Me këtë bashkëpunëtor gjatë viteve 1950-1954 është përdorur pa kriter stimuli material në të holla dhe drithëra buke. “Trebeshina” i shtresës së mesme fshatare, me qëndrim të keq politik, si para dhe pas çlirimit. Në vitin 1960, nën influencën e të riatdhesuarit nga Amerika A.B. tenton të arratiset në Greqi, por kapet e dënohet me 15 vite. Është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1969 gjatë vuajtjes së dënimit në kampin e riedukimit dhe është mbajtur në lidhje për katër vjet. Në vitin 1975 u seleksionua nga rrjeti sekret informativ. “Besniku” rrjedh nga një familje e shtresës së mesme fshatare, vëllai i tij ka qenë i dënuar dy herë për aktivitet armiqësor. Është tërhequr në shërbim në vitin 1964 dhe është seleksionuar në vitin 1980 për arsye se u implikua në një proces hetimor për vjedhje dhe u vërtetua se gënjente. Gjatë 16 viteve në shërbim të rrjetit sekret ka dhënë të dhëna të shumta e me mjaft interes. Me të dhënat e tij u godit grupi i tregtisë në Berat me 11 të pandehur e mbi 20 të implikuar të tjerë; janë goditur tre objekte përpunimi që zhvillonin agjitacion e propagandë armiqësore, si dhe janë çelur disa përpunime të tjera. Gjatë bashkëpunimit “Besnikut” iu rrit mendja dhe filloi të japë ca të dhëna të pavërteta, sidomos ndaj E.K. me të cilin kishte edhe një konflikt personal. Meqenëse të dhënat e “Besnikut” për këtë person nuk vërtetoheshin, më 21.12.1979 u bë një veprim ndërmjet tyre dhe bisedat u përgjuan nga TO. Nga raportimi i “Besnikut” pas këtij takimi, bëhej me dije se E.K. kishte folur shumë ashpër kundër udhëheqësit të Partisë, kurse nga përgjimi me TO nuk ishte kështu. Në informacionin e TO thuhej se E.K. dikur i kishte dhënë “Besnikut” 1000 lekë dhe këto me këmbëngulje ia kërkonte, ndërsa bashkëpunëtori përpiqej t’i shmangej kësaj bisede dhe servirte rrugëzgjidhje. Pra, ndërsa “Besniku” jepte të dhëna për vjedhje për të tjerët, në anën tjetër vidhte vetë, me besimin në vetvete se nuk zbulohej, ose fakti tjetër që ndaj E.K. jepte të dhëna se shante udhëheqësin e partisë, me synimin që ky të futej në burg e vet të shpëtonte nga borxhi që i kishte marrë. “Liqeni”, i shtresës së mesme, babai i tij ka qenë pjesëtar aktiv në rreshtat e Ballit Kombëtar. Është tërhequr në bashkëpunim sekret më vitin 1963 dhe me lirimin nga ushtria u seleksionua nga rrjeti, kurse më 9.7.1973 u rimor në lidhje, por në vitin 1980 u provua se gënjente dhe si i tillë u përjashtua nga Shërbimi Sekret Informativ. “Liqeni” ka dhënë një të dhënë për E.Ç., sipas së cilës ky i fundit zhvillonte veprimtari armiqësore. Nisur nga dyshimi se “Liqeni” gënjente, më datën 26.10.1980 u bë një kombinacion midis tij dhe E.Ç. nga ku rezultoi se E.Ç. jo vetëm nuk zhvillonte veprimtari armiqësore, por mbante qëndrim të mirë. “Korabi” është nga një familje e pasur fshatare dhe me qëndrim të keq politik, sepse familjarisht kanë qenë të lidhur me organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar dhe janë prekur nga reforma agrare. Është tërhequr në shërbim në vitin 1977 dhe u seleksionua në vitin 1980, mbasi u vërtetua se gënjente. Nga një e dhënë e “Korabit” bëhej fjalë se një person bënte veprimtari armiqësore. Nga verifikimet rezultoi se ky person mbante qëndrim të mirë, ndërsa bashkëpunëtori gënjente, duke raportuar se F.S. tha: Këta janë borgjezuar, janë burokratizuar, por akoma nuk u ka ardhur fundi… tek ne nuk gjendet e drejta, prandaj ka mbetur t’i drejtohemi ndonjë qeverie jashtë shtetit”. “Semani” vjen nga një shtresë e varfër fshatare, i dënuar me 7 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë armiqësore. Tërhequr në shërbimin sekret në vitin 1972 dhe është seleksionuar në vitin 1980 si bashkëpunëtor gënjeshtar. Në një raport të datës 2.12.1976, bashkëpunëtori raporton se V.GJ. duke komentuar, rëndësinë e fjalimeve të 28 dhe 29 nëntorit është shprehur: “Vulgarizëm, idiotizëm… ja këpusin kot këta, është politikë e madhe ajo e kinezëve, ato me këto veprime na thanë të rrimë urtë”. Nga informacioni i TO del e kundërta, objekti V.GJ. në fakt vlerëson dhe është dakord me politikën e partisë sonë dhe me qëndrimin ndaj kinezëve. “Luftëtari” padrejtësisht është mbajtur në rrjetin sekret deri në vitin 1977. Në një rast ky bashkëpunëtor raporton se “K.E. dhe G.M. janë shprehur “…Në çdo vend të botës spiunët i gjen me para, në Shqipëri i gjen falas, prandaj vuajmë kaq shumë…Përsëri filluan të zihen udhëheqësit tanë duke folur kundër Ten Siao Pinit, lufta e klasave në vendin tonë është e ashpër dhe e padrejtë. Këtu nuk ka drejtësi e të gjithë gënjejnë”. Nga verifikimet e bëra për saktësinë e të dhënave u konstatua e kundërta dhe nuk rezulton asnjë bisedë armiqësore. Me gjithë këtë, punëtori operativ vazhdoi ta mbajë në lidhje pa e hequr nga shërbimi sekret. “Luftëtari” jepte të dhëna për fakte e persona që nuk kishin asgjë armiqësore. “Aktori”, rrjedh nga një familje e varfër fshatare, tërhequr në bashkëpunim sekret më 16.6.1971 me material shtrëngues, sepse zhvillonte veprimtari armiqësore agjitacion e propagandë, gjë për të cilën ishte vënë në përpunim aktiv 2A më 20.10.1969.
|



Buletini sekret: Situatë e nderë me bashkëpunëtorët e fshehtë.










